
Zelensky: Rusia nuk po e zbaton armëpushimin për Pashkë
Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky akuzoi Rusinë për vijimin e bombardimeve dhe sulmeve përgjatë vijës së frontit, pavarësisht se presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një armëpushim të shkurtër për Pashkë.
Por disa orë pasi urdhri i Putin për një armëpushim 30-orësh hyri në fuqi, në Kiev dhe në krahinë të tjera ukrainase ranë sirenat e alarmit.
“Në disa drejtime të ndryshme në vijën e frontit, ka pasur 59 raste bombardimesh ruse dhe pesë raste të tjera të sulmeve të ndërmarra nga njësitë ruse”, u shpreh Zelenski në orët e para të së dielës.
Sipas tij, gjashtë orë para mesnatës së të shtunës, pati 387 raste bombardimesh dhe 19 sulme me dronë nga rusët.
“Mëngjesin e Pashkës, mund të themi se ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypjen e një armëpushimi, ndërsa në disa zona vijojnë përpjekjet e izoluara për të avancuar dhe për t’i shkaktuar humbje Ukrainës”, shkroi Zelenski në postimin e tij në rrjetet sociale.
Ai më herët, në përgjigje të njoftimit të Putin për armëpushim, tha se edhe Ukraina do ta zbatonte armëpushimin dhe propozoi zgjatjen e ndaljes së luftimeve përtej Pashkës.
Ndërkaq, dy vendet ndërmorën të shtunën shkëmbimin më të madh të pengjeve. Secila palë i dorëzoi tjetrës më shumë se 240 luftëtarë të zënë rob.
Urdhri i Putin për ndaljen e luftimeve gjatë fundjavës së Pashkës erdhi pas muajsh përpjekjesh të presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e një dakordësie për armëpushim. /rtsh/