
Zelensky: Putin është kriminel lufte, nuk do paqe
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është përgjigjur akuzave të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin për nevojën e një udhëheqje të përkohshme në Ukrainë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara për të zhvilluar zgjedhjet.
Putin ka përsëritur edhe një herë kërkesat maksimale të Moskës. Këtë herë, ai propozoi vendosjen e Ukrainës nën administrim të përkohshëm.
“Njerëzit tanë zgjidhen sipas Kushtetutës sonë. Partnerët tanë evropianë e kanë refuzuar të gjithë këtë edhe si një mundësi. Të gjithë e kuptojnë që presidenti i Ukrainës është i ligjshëm, dhe Putin është një kriminel lufte”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas gjithashtu ka shpjeguar pse Putini përdor deklarata të tilla.
“Ai vazhdimisht gjen ndonjë arsye ose një tjetër për të shmangur përfundimin e luftës. Ai ka frikë nga negociatat me Ukrainën. Ai ka frikë nga negociatat me mua personalisht. Duke përjashtuar Ukrainën në këtë mënyrë, ai tregon se Ukraina nuk është një temë për të. Megjithëse besoj se problemi është i ndryshëm: ai nuk ka argumente në negociatat me palën ukrainase”, shprehet Zelenskyy
Ai ka përsëritur që Putini është një kriminel, dhe ushtarët e tij janë okupatorë.
“Ata janë në territorin tonë në mënyrë të paligjshme, dhe ata duhet të përgjigjen për këtë. Ai nuk dëshiron t’i japë fund luftës, kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të themi se nuk ka presion të mjaftueshëm ndaj tij. Është shumë e rëndësishme për ne që SHBA e pranon këtë. Evropa e kupton absolutisht këtë, ” ka thënë Zelensky.
Ai ka shtuar se Evropa do të vazhdojë të përgatisë dhe zbatojë pako sanksionesh, edhe nëse dikush në Evropë përpiqet t’i bllokojë ato. /rtsh/