
Zelensky në favor të lirimit të të burgosurve si hap për ndërtimin e besimit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky propozoi lirimin e të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve ukrainas në atdheun e tyre në prag të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Arabinë Saudite për një marrëveshje të mundshme paqeje midis vendit të tij dhe Rusisë.
“Ky mund të bëhet një hap kyç në ndërtimin e besimit në përpjekjet diplomatike”, shkroi Zelensky në X, pas një takimi me princin e kurorës saudit dhe sundimtarin de fakto të vendit, Mohammed bin Salman.
“Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua formateve të garancive të sigurisë”, shtoi Zelensky.
Qeveria ukrainase akuzon Rusinë se ka rrëmbyer mijëra fëmijë që kur Moska filloi luftën e saj gjithëpërfshirëse kundër Ukrainës në shkurt 2022.
Dy vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhërarresti për presidentin rus Vladimir Putin për rrëmbimin e dyshuar të fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara ukrainase në Rusi. Moska i referohet incidenteve si evakuime.
Komunikimi për shkëmbimin e të burgosurve është praktikisht i vetmi kanal i dialogut që ende funksionon midis Kievit dhe Moskës. Palët ndërluftuese kanë shkëmbyer tashmë mijëra të burgosur në disa operacione. Është e paqartë se sa të burgosur ka ende në të dyja vendet.
Zelensky mbërriti dje në qytetin bregdetar saudit, Xhedah në Detin e Kuq për një vizitë njëditore, duke përfshirë bisedimet me Salman.
Një grup negociatorësh ukrainas të udhëhequr nga shefi i Kancelarisë së Zelensky, Andrii Yermak, ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha dhe ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov do të zhvillojnë sot bisedime me një delegacion amerikan të kryesuar nga sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio.
Zelensky nuk do të marrë pjesë në bisedime. Presidenti tha të dielën se Kievi shpreson për rezultate që do të afrojnë paqen dhe do të çojnë në vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së. /atsh/