Zelensky kritikon telefonatën mes Scholzit me Putinit si hapje të “Kutisë së Pandorës”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu zemërim për bisedën e sotme telefonike mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit rus Vladimir Putin.
“Për mendimin tim, telefonata e Scholz hap kutinë e Pandorës”, tha Zelensky në një video-mesazh të postuar në platformat e medieve sociale.
“Tani mund të ketë biseda të tjera, telefonata të tjera … dhe kjo është pikërisht ajo që Putini ka kërkuar prej kohësh. Është thelbësore që ai të dobësojë izolimin e tij ndërkombëtar, izolimin e Rusisë”, tha ai.
Zelensky tha se bisedimet me Putinin “nuk të çonin askund”.
Ai tha se i ishte thënë paraprakisht se Scholz do të zhvillonte një bisedë telefonike me Putinin. Biseda e tyre një orëshe sot ishte e para mes tyre në gati dy vjet.