
Zelensky bën thirrje për më shumë presion mbi Rusinë pas sulmit rus vdekjeprurës
ATSH/-Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë përsëri thirrje partnerëve të Ukrainës që të ushtrojnë më shumë presion mbi Moskën për të rënë dakord për një armëpushim, ndërsa Rusia vazhdon të intensifikojë sulmet në luftën 3-vjeçare, sipas AP.
“Sulmi me dron dhe raketa ndaj Kievit të martën – një nga sulmet më vdekjeprurëse këtë vit, shkaktoi vdekjen e 28 personave në kryeqytet dhe plagosjen e 142 të tjerëve”, tha të sot kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko.
Zelensky, së bashku me kreun e zyrës presidenciale Andrii Yermak dhe ministrin e Brendshëm Ihor Klymenko vizituan sot në mëngjes vendin e goditur nga sulmet ruse, në lagjen Solomianskyi në Kiev – duke i bërë homazhe 23 personave që vdiqën atje pasi një një raketë rrëzoi strukturën e ndërtesës.
“Ky sulm është një kujtesë për botën se Rusia refuzon armëpushimin dhe zgjedh vrasjen”, shkroi Zelensky në Telegram.
Sulmi i së martës ndaj Kievit ishte pjesë e një bombardimi më masiv, ndërsa Rusia u përpoq sërish të mposhtte mbrojtjen ajrore të Ukrainës.
Rusia sulmoi më shumë se 440 dronë dhe 32 raketa në atë që Zelensky e quajti një nga bombardimet më të mëdha të luftës, tani në vitin e saj të katërt.
Ndërsa Rusia vazhdon me ofensivën në disa pjesë të vijës së frontit prej rreth 1,000 kilometrash (620 milje) – përpjekjet për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja nuk kanë arritur të fitojnë terren.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka refuzuar në mënyrë efektive propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor – duke e bërë atë të kushtëzuar – dhe duke kërkuar ndalimin e përpjekjeve të mobilizimit të Ukrainës dhe një ngrirje të furnizimeve perëndimore me armë.
Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe tarifat tregtare të SHBA-së kanë tërhequr vëmendjen e botës – larg thirrjeve të Ukrainës për më shumë presion diplomatik dhe ekonomik ndaj Moskës.
Rusia, në javët e fundit ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë veprimi që kanë goditur zonat urbane të banimit, në Ukrainë.
Megjithatë, të mërkurën, Putini hodhi poshtë pretendimet se ushtria e tij kishte goditur objektiva të tilla, duke thënë se sulmet ishin kundër industrive ushtarake, jo lagjeve të banimit. /atsh/