Zelensky: Aleanca Moskë-Teheran-Phenian kërcënon Uashingtonin

Zelensky: Aleanca Moskë-Teheran-Phenian kërcënon Uashingtonin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia ka forcuar zyrtarisht aleancën e saj me Iranin dhe Korenë e Veriut, duke paralajmëruar se kjo përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për Uashingtonin.

Në një intervistë me agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, Zelensky theksoi se Teherani dhe Pheniani tani janë të angazhuar hapur në luftën kundër Kievit.

“Për herë të parë në dekada, Rusia ka treguar zyrtarisht aleancat e saj duke përfshirë Iranin dhe Korenë e Veriut. Po, ata kishin marrëdhënie më parë, duke shkëmbyer teknologji dhe armë, por tani Moska i ka përfshirë në mënyrë aktive në luftë. Teherani furnizon me armë, Pheniani furnizon si me armë ashtu edhe trupa”, thotë presidenti ukrainas.

“Sot, Koreja e Veriut, Rusia dhe Irani formojnë një aleancë konkrete kundër Kievit dhe gjithë Perëndimit. Unë besoj se kjo është në fakt një aleancë kundër Shteteve të Bashkuara. Një aleancë shumë e rrezikshme”, theksoi ai.

Zelensky theksoi se Moska, Teherani dhe Pheniani kanë thelluar bashkëpunimin e tyre ushtarak duke bashkuar në mënyrë efektive industritë e tyre të mbrojtjes për të rritur prodhimin e armëve.

“Këto tre vende, përveçse janë fuqi bërthamore, sigurisht që nuk janë për paqen. Ato tani janë të bashkuar, janë partnerë strategjikë. Ata kanë bashkuar efektivisht industritë e tyre të mbrojtjes dhe do të vazhdojnë të zgjerojnë dhe rrisin prodhimin e armëve”, paralajmëron presidenti ukrainas.

Zelensky gjithashtu ngre shqetësime për trupat e Koresë së Veriut të vendosura në rajonin Kursk të Rusisë, duke thënë se ata po fitojnë përvojë luftarake që mund të përdoret në konfliktet e ardhshme diku tjetër.

“Kjo po ndodh tani dhe është shumë e rrezikshme për Shtetet e Bashkuara dhe për shumë vende të atij rajoni”, sipas presidentit ukrainas. /atsh/

Share This