Zelenski kërkon nga aleatë që të bëjnë presion ndaj Rusisë

Zelenski kërkon nga aleatë që të bëjnë presion ndaj Rusisë

Presidenti Volodymyr Zelenski u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të ushtrojnë përsëri presion të ri ndaj Moskës për të ndaluar luftën.

Thirrja erdhi pasi gati 150 dronë rusë goditën Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës gjatë natës së të shtunës (22.03), duke vrarë të paktën shtatë vetë.

“Nevojiten vendime të reja dhe presioni i ri mbi Moskën për t’u dhënë fund këtyre sulmeve dhe kësaj lufte”, postoi Zelenski në mediat sociale përpara bisedimeve për një armëpushim të pjesshëm që janë planifikuar për t’u zhvilluar të hënën në Arabinë Saudite.

Bisedimet për një armëpushim të pjesshëm në Arabinë Saudite ishin planifikuar fillimisht që të zhvilloheshin njëkohësisht të hënën. Por Zelenski tha se delegacioni ukrainas do të takohet me delegacionin e SHBA-së të dielën, pa dhënë detaje të mëtejshme. Kurse takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe të SHBA-së pritet të zhvillohet të hënën.

Sulme të forta nga ajri

Në postimin në Instagram Zelenski shkroi gjithashtu se vetëm këtë javë kundër popullit ukrainas ishin lëshuar mbi 1,580 bomba nga ajri, afro 1,100 dronë luftarakë dhe 15 raketa të llojeve të ndryshme, duke theksuar se i gjithë ky armatim përmbante të paktën 102,000 komponentë të huaj.

“Kjo është arsyeja pse sanksionet kundër terroristëve rusë duhet të jenë më efektive. Çdo boshllëk që u lejon atyre të anashkalojnë regjimin e sanksioneve duhet të eliminohet,” shkroi ai, sipas DW.

Rusia paralajmëron për “negociata të vështira”

Ndërkohë Rusia i minimizoi pritshmëritë për një zgjidhje të shpejtë të luftës në Ukrainë, duke thënë se bisedimet sapo kishin filluar dhe se gjendemi para “negociatash të vështira”.

“Ne jemi vetëm në fillim të kësaj rruge,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për televizionin shtetëror rus.

Sipas Peskovit fokusi “kryesor” i Rusisë në bisedimet e saj me Shtetet e Bashkuara do të ishte diskutimi i rifillimit të mundshëm të marrëveshjejes së vitit 2022 për drithin, e cila siguron transportin e sigurt detar të eksporteve bujqësore ukrainase përmes Detit të Zi. /rtsh/

Share This