
Zbulohet në Harvard një kopje autentike e Magna Carta-s nga viti 1300, një nga dokumentet më të vlefshme në botë
Një dorëshkrim i vjetër, që për dekada ishte konsideruar si një “kopje” pa rëndësi e Magna Carta-s, është identifikuar së fundmi si një version origjinal dhe jashtëzakonisht i rrallë nga viti 1300. Ky dokument ndodhej i harruar në bibliotekën e Shkollës së Drejtësisë në Universitetin e Harvardit, që e kishte blerë për vetëm 27.50 dollarë në vitin 1946.
Pas analizës së imazheve të digjitalizuara nga dy profesorë të historisë mesjetare, Prof. David Carpenter i King’s College London dhe Prof. Nicholas Vincent i Universitetit të Anglisë Lindore, dokumenti u identifikua si një Magna Carta autentike e lëshuar gjatë mbretërimit të Mbretit Edward I.
“Është Magna Carta e fundit dhe meriton të festohet, jo si një kopje e thjeshtë, e njollosur dhe e zbehur, por si një origjinal i njërit prej dokumenteve më të rëndësishme në historinë kushtetuese botërore; një gur themeli i lirive të kaluara, të tashme dhe ende të pafituara“, tha Prof. David Carpenter nga King’s College London, i cili filloi ta analizonte atë pasi pa imazhe të digjtalizuara të tij në faqen e internetit të universitetit amerikan.
Magna Carta, e njohur si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, u lëshua për herë të parë në vitin 1215 nga Mbreti Gjon i Anglisë dhe u ribotua disa herë nga pasardhësit e tij. Mendohet se gjatë shekullit XIII janë shpërndarë rreth 200 kopje, por vetëm 25 prej tyre dihet që ekzistojnë sot.
Zbulimi në Harvard është përshkruar si një “zbulim fantastik” dhe pritet të vlerësohet me miliona dollarë, duke e renditur atë ndër dokumentet historike më të vlefshme në botë. Ky rast tregon edhe rëndësinë e kërkimit shkencor dhe digjitalizimit të arkivave për zbardhjen e thesareve të humbura të historisë.