Zbulohet laborator për falsifikim të dokumenteve në një shtëpi në Prishtinë
Një laborator i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve është zbuluar nga Policia e Kosovës në një shtëpi në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 janar 2025 ka ndaluar një automjet në Prishtinë, ku janë gjetur dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.
“Shoferi me inicialet (F.K.) është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh,” njoftoi Policia.
Pas hetimeve intensive, është zbuluar një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmi relevante, përfshirë makina lazerike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës,” thuhet më tej në komunikatën e përbashkët nga Policia dhe Prokuroria Speciale.
Rasti po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar”, raporton rtk.