
Zbulohen identitetet- Shefat ushtarakë dhe shkencëtarët bërthamorë iraninë të vrarë nga sulmet izraelite
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Izraeli ka ndërmarrë sulme të synuara kundër Iranit, duke goditur mbi 100 objektiva kyç, përfshirë strehimet e operativëve të lartë ushtarakë dhe objekte bërthamore. Këto sulme, siç raporton Sky News, kishin për qëllim parandalimin e Teheranit nga zhvillimi i një arme atomike dhe kanë rezultuar në vrasjen e disa figurave thelbësore të regjimit iranian.
Konfirmohet eliminimi i tre komandantëve të lartë ushtarakë dhe gjashtë shkencëtarëve të shquar bërthamorë. Kjo është një goditje e rëndë për programin ushtarak dhe bërthamor të Iranit, dhe duket të jetë sulmi më i rëndësishëm me të cilin është përballur Irani që nga lufta e viteve 1980 me Irakun.
Figurat kyçe të eleminuara
1. Gjeneral Mohammad Hossein Bagheri

Ishte shefi i shtabit të Forcave të Armatosura të regjimit iranian dhe oficeri më i lartë ushtarak në Iran, komandanti i dytë pas udhëheqësit suprem të vendit. Përfshirja e tij në ushtri datonte që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Sipas The Times of Israel, Bagheri thuhet se ishte një nga studentët që sulmuan ambasadën amerikane në Teheran atë vit.
2. Gjeneral Major Hossein Salami

Ishte Komandant i Përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), forca kryesore ushtarake e Iranit. Salami kishte një histori të gjatë kërcënimesh ndaj SHBA-së dhe Izraelit, duke paralajmëruar më parë se Irani do të “hapte portat e ferrit” nëse sulmohej. Ai iu bashkua Gardës Revolucionare gjatë luftës Iran-Irak dhe ishte sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe SHBA-ja që nga vitet 2000 për përfshirjen e tij në programet bërthamore dhe ushtarake. Në vitin 2016, ai shprehu hapur dëshirën për “asgjësimin, zhdukjen dhe rrëzimin e regjimit sionist.
3. Gholam-Ali Rashid

Ishte kreu i selisë së Khatam al Anbia (Komanda e Emergjencës) të IRGC-së. Rashid më parë shërbeu si zëvendësshef i shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit dhe luftoi për Iranin gjatë luftës së viteve 1980 me Irakun.
Shkencëtarët bërthamorë të vrarë
Izraeli shënjestroi gjithashtu objekte bërthamore dhe fabrika raketash balistike, duke rezultuar në vrasjen e gjashtë shkencëtarëve të shquar bërthamorë:
Fereydoun Abbasi-Davani

Shkencëtar bërthamor dhe kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit nga viti 2011 deri në vitin 2013. Një mbështetës i vijës së ashpër, Abbasi ishte anëtar i parlamentit nga viti 2020 deri në vitin 2024.
Mohammad Mehdi Tehranchi

Gjithashtu një shkencëtar bërthamor – fizikant teorik dhe president i Universitetit Islamik Azad në Teheran.
Abdolhamid Manouchehr
Ahmad Reza Zolfaghari
Amirhossein Feghi
Motalibizadeh
Këto sulme vijnë mes tensioneve në rritje mbi programin bërthamor të Iranit, i cili po përparon me shpejtësi. Për vite me radhë, Izraeli kishte kërcënuar me një sulm të tillë, ndërsa administratat e njëpasnjëshme amerikane ishin përpjekur ta parandalonin, nga frika se kjo do të ndezte një konflikt më të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme.
/rtsh.al/