Zbulohen detaje për maratonën “Prishtina 2023”, publikohen edhe shpërblimet financiare për fituesit
Federata e Atletikës e Kosovës (FAK) ka dhënë hollësi për Maratonën “Prishtina 2023”.
Maratona “Prishtina 2023” do të mbahet më 24 shtator, respektivisht këtë të diel, në kryeqytet.
Kryetari i FAK-ut, Halil Sylejmani, ka thënë se organizimi i kësaj maratone ka filluar para 22 vjetësh dhe nuk është ndalur deri më sot, pasi e ka bërë punën e vet jo vetëm në Kosovë.
Ndërkaq, zyrtari për sport në komunën e Prishtinës, Granit Makolli, u shpreh i lumtur që maratona do të organizohet sërish në kryeqytet, ndërsa e siguroi FAK-un se do ta ketë mbështetjen e plotë nga komuna.
Për Fitim Arifin, përfaqësuesin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ky edicion i maratonës është shumë i rëndësishëm, pasi është në kohën e lajmit të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Ndërkaq zyrtari për informim, njëherësh anëtar i Kryesisë së Federatës së Atletikës, Adrijan Mazreku, shpalosi edhe hollësitë e kësaj maratone.
Nga kjo maratonë do të ketë shpërblime edhe për atletët që zënë tetë vendet e para. Shpërblimet do të jenë për meshkujt dhe për femrat.
Shpërblimet për vrapimin Maratonë (42.195 kilometra) te meshkujt dhe femrat: Vendi i parë (1 mijë euro), vendi i dytë (700 euro), vendi i tretë (400 euro), vendi i katërt (200 euro), vendi i pestë (150 euro), vendi i gjashtë (100 euro), vendi i shtatë (70 euro) dhe vendi i tetë (50 euro). Shpërblimet për vrapimin Gjysmëmaratonë (21.0975 kilometra): Vendi i parë (250 euro), vendi i dytë (200 euro), vendi i tretë (150 euro), vendi i katërt (100 euro) dhe vendi i pestë (50 euro).