Zbardhët lista e Dardaneve për ndeshjet me Suedinë

Zbardhët lista e Dardaneve për ndeshjet me Suedinë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në hendboll (Femrat), Agron Shabani, të hënën ka zbardhur listën e hendbollisteve në të cilat llogarit për dy ndeshjet me Suedinë.

“Ndeshjet me Suedinë i takojnë fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2025.  Ndeshja e parë do të luhet më 10 prill në Karlskrona të Suedisë, ndërsa e kthimit më 13 prill në Prishtinë. Suedia ishte kundërshtarja më e fortë e mundshme për raundin e dytë kualifikues për Botëror.

Kombëtarja jonë ka mungesa shumë të rëndësishme në këto ndeshje shumë të vështira. Për shkak të lëndimit mungon kapitenia Leonora Demaj, ndërsa Marigona e Arlinda Hajdari nuk grumbullohen për arsye personale. E lënduar është edhe hendbollistja perspektive, Elisa Mirdita. Në Kombëtare është kthyer Mirela Gjikokaj, që së fundi luajti me sukses në Ligën e Kampionëve për skuadrën lidere të Norvegjisë, Storhamar. Pas shumë vjetësh kthehet Merlinda Qorraj, ndërsa për herë të parë janë ftuar Lorena Matarova, Ornela Haxhiu e Orgesa Gola”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Kombëtarja mblidhet më 6 prill në Eslov të Suedisë.

Në raundin e parë kualifikues për Botëror, Kosova fitoi grupin ku ishin edhe Belgjika dhe Bosnjë-Hercegovina. Shënoi fitore bindëse ndaj këtyre dy Kombëtareve.

Share This