
Zbardhet lista e Dardanëve për duelet me Ishujt Faroe dhe Holandën
Përzgjedhësi Kombëtares së Kosovës, Bujar Qerimi, ka shpallur të mërkurën listën e hendbollistëve të ftuar për ndeshjet me Ishujt Faroe dhe Holandën.
Për herë të parë në ekipin e zgjeruar është ftuar Amar Muqolli, ndërsa kthehet Olsi Mulaj. Bëhet fjalë për dy hendbollistët e talentuar të Besa Famgas që shkëlqyen me Kosovën U18. Kthehet edhe Arbios Mushkolaj që mungoi në ndeshjet e kaluara për shkak të një lëndimi.
Për shkak të lëndimeve mungojnë Kastriot Jupa e Lionel Mirdita.
Kombëtarja grumbullohet të dielën mbrëma, më 4 maj, derisa stërvitjet fillojnë të hënën, më 5 maj.
Ndeshja Kosovë – Ishujt Faroe do të luhet më 8 maj nga ora 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, kurse, sfida me Holandën është më 11 maj në ‘s-Hertogenbosch.
Janë këto dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2026. Kombëtarja jonë kërkon suksesin për kualifikim historik.
Në Grupin 6, Ishujt Faroe janë në vendin e parë me 5 pikë. Nga 4 i kanë Ukraina e Holanda, ndërsa Kombëtarja jonë i ka tri pikë. Gara në grup është plotësisht e hapur.