Zaniolo drejt rikthimit në Serinë A, gati 30 mln Euro për Galatasarayn
Juventusi hedh sytë nga Nicolo Zaniolo. Ish-lojtari i Romës mund të mbyllë aventurën në Turqi tek Galatasaray pas vetëm 6 muajsh, pasi për të ka shfaqur interes klubi torinez.
Sipas “Tuttomercatoweb”, “Bardhezinjtë” mund të bëjnë një ofertë për 24-vjeçarin, i cili ka zhvilluar një sezon pozitiv në Superligën turke.
Italiani ka një klauzolë prej 35 milionë Eurosh, megjithatë klubi 36 herë kampion i Italisë mund të bëjë një ofertë prej 30 milionësh dhe marrëveshja pritet të mbyllet së shpejti.
Klubi Turk po përgatitej prej kohësh për një lamtumirë të Zaniolo-s, pasi është duke punuar për të gjetur zëvendësuesin e tij. Klubi nga Stambolli tek i cili sezonin e fundit luajti dhe sulmuesi i kombëtares së Kosovës Milot Rashica është duke ndjekur me interes brazilianin Tete që aktivizohet tek Ukrainasit e Shaktar Donetskut.
Gjithsesi në rast të mbylljes së marrëveshjes për Zaniolon, Juventusi do të ishte klubi i tretë në Serie A, pas aventurës me Romën e Jose Mourinhos dhe Interit.
24-vjeçari i cili është një prodhim i akademisë së “Zikaltërve” luajti gjithsej 94 ndeshje dhe shënoi 13 gola me “Verdhekuqtë” gjatë aventurës 4 vjeçare në kryeqytetin italian, teksa ishte autori i golit vendimtar që i dha Romës trofeun e parë Europian, ku italianët mposhtën 1-0 Feyenordin në finalen e zhvilluar në Stadiumin “Air Albania” të Tiranës.