
Ylli shkëlqen në kryeqytet, mposht Sigal Prishtinën
Golden Eagle Ylli shënoi fitore bindëse ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 59:85 (10:20, 18:18, 14:26, 17:21), në javën e 24-t të ProCredit Superligës.
Për Yllin ishte fitorja e dytë radhazi pas asaj ndaj Trepçës, derisa humbja e parë për prishtinasit pas nëntë fitoreve radhazi.
Mysafirët e nisën ndeshjen për mrekulli, me një seri të jashtëzakonshme prej 0:12, derisa çerekun e parë e fituan 10:20. Epërsinë më të lartë e arritën në fillim në periudhës së dytë, 19 pikë, 12:31, megjithatë bardhekaltrit u rikthyen paksa, ku skuadrat shkuan në pushim me rezultat 28:38.
Por, Ylli vazhdoi me lojë të mirë në periudhën e tretë, dhe atë të fundit, duke thelluar epërsinë për të fituar në fund bindshëm 59:85.
Rashid Mahalbasiq kishte 13 pikë te vendasit, kurse te mysafirët u dalluan Jalen Nesbitt me 18 pikë, 15 kërcime e pesë asistime, Lis Shoshi me 15 pikë e gjashtë kërcime dhe Jan Palokaj me 16 pikë e shtatë kërcime.
Sigal Prishtina ka 15 fitore e nëntë humbje, ndërsa Golden Eagle Ylli 11 fitore e 13 humbje.