Ylber Ramadani: Krenar që jam shqiptar
Futbollisti kosovar i Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani, është shprehur i ngazëllyer që ishte pjesë e skuadrës kuqezi në Evropianin ‘Gjermani 2024’.
Shqipëria mbrëmë u mund nga Spanja (1-0), duke i dhënë fund aventurës në EURO 2024.
Mesfushori shqiptar përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se Shqipëria ka treguar karakter të fortë në tri ndeshjet e këtij Evropiani.
Ai ka falënderuar tifozët shqiptarë për përkrahjen e fuqishme në EURO 2024.
“I lumtur që isha pjesë e Shqipërisë në këtë rrugëtim në finalet e “Gjermani 2024”. Tre ndeshje, tre finale me tre nga ekipet më të mira të Europës, dy prej të cilave janë shpallur edhe kampione Europe dhe Bote. Luajtëm fort, si të barabartë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, duke treguar karakter në çdo sfidë. Faleminderit çunave, faleminderit stafit teknik dhe të gjithë stafit drejtues që ka qenë pranë nesh. Një falënderim të veçantë për tifozët që na kanë mbështetur në stadium, në çdo rrugë e shesh të Gjermanisë, si edhe çdo ditë në kampin tonë stërvitor”, ka shkruar Ramadani.