Yakin për Shaqirin: Nuk kemi pasur kontakt, por dera mbetet e hapur

Yakin për Shaqirin: Nuk kemi pasur kontakt, por dera mbetet e hapur

Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me Xherdan Shaqirin që nga hera e fundit kur i kishte dërguar një mesazh zanor para shpalljes së listës së fundit të Kombëtares.

Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Yakin tregoi se megjithëse nuk mori përgjigje personale, kishte ndjekur reagimin e Shaqirit përmes konferencës për media dhe këtë e ka konsideruar të mjaftueshme.

“Jo, nuk kemi pasur kontakt. Nga sa mund ta gjykoj teknikisht, ai e ka dëgjuar mesazhin zanor. Me siguri ka qenë i përqendruar te faza përfundimtare me FC Basel. Përgjigjen e tij e mora nëpërmjet konferencës për shtyp, dhe kjo më mjaftoi”, tha Yakin.

Në pyetjen nëse deklaratat e Shaqirit në atë konferencë mund të interpretohen si një goditje indirekte ndaj tij, Yakin u shpreh me qetësi dhe pa polemika: “Ai e ka thënë qartë se për momentin nuk është në dispozicion. Këtë e kam kuptuar dhe e pranoj plotësisht. Nuk e marr personale. Ai ka dhënë dorëheqjen dhe ne kemi mjaft lojtarë që janë gjithmonë të gatshëm të luajnë për kombëtaren”.

Megjithatë, trajneri i “Nati”-t nuk e ka mbyllur përfundimisht derën për rikthimin e Shaqirit: “Dera mbetet e hapur.”

Deklarata e Yakin vjen në një periudhë tranzicioni për kombëtaren zvicerane, e cila po përgatitet për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.

Pavarësisht mungesës së Shaqirit, trajneri mbetet i fokusuar te grupi aktual, ndërsa lë gjithmonë hapësirë për rikthimin e emrave me peshë nëse vetë lojtarët shfaqin gatishmëri.

Share This