Xhevat Prekazi: Nuk e shikoj Superligën e Kosovës, unë jam i Mitrovicës
Shpeshherë është kritikuar. Kurrë nuk është adhuruar aq sa futbollistët tjerë shqiptarë në Jugosllavi. Ndoshta që nuk ka luajtur për Prishtinën.
Por, Xhevat Prekazi është një nga futbollistët më të mirë që ka dal nga Kosova ndonjëherë.
I lindur në Mitrovicë në një familje shqiptare, Xhevat Prekazi jeton dhe vepron në Beograd.
Jeta e tij sillet përreth Beogradit. Atje jeton prej vitesh dhe punon si trajner me grupmosha të reja. Është edhe asistent në kombëtaren serbe të 21-vjeçarëve.
“Qyteti im është Beogradi”, kishte deklaruar ai në një intervistë për një portal serb më 2017.
Të dielën ai ka folur për herë të parë në një intervistë për një televizion të Kosovës. Në Klan Kosova, Xhevat Prekazi rrëfeu karrierën e tij, njohuritë për Kosovën dhe për Milot Rashicën.
I pyetur nëse do të kthehej në Kosovë për t’i ndihmuar futbollit të vendit ku ka lindur, Prekazi tha se asnjëherë nuk është ftuar nga askush për të dhënë kontributin e tij.
Por, ai tha se është nga Mitrovica dhe këtë gjë nuk mund ta mohojë.
“Unë jam i Mitrovicës. Familja jem është e Mitrovicës. Prej babës e nanës, krejt në Mitrovicë kanë lind”, ka thënë Prekazi.
Megjithatë, ai tha se ka pak njohuri për Superligën e Kosovës në futboll, kur u pyet nga intervistuesi se si e sheh futbollin e Kosovës, e në veçanti ligën e saj elitare. Dukej sikur u zu në befasi.
“Drejt me të tregu, ligën s’e kam shiku. Por, reprezentacionin disa herë e kam këqyr. Për mua, Milot Rashica ka qenë lojtari më i mirë në Galatasaray”, tha Prekazi.
Ai foli edhe për karrierën e tij në futboll. Tregoi se ka pasur ofertë nga Prishtina, por se e kishte zgjedhur Hajdukun.
“Kryetari i Prishtinës, besomni me mua dy fjalë i ka fol. Ma shumë ka fol me shoqen time; i ka thanë ‘pe çoj shoferin me kerr, le të nënshkruajë e le të vijë në Kosovë me lujt për Prishtinën. E unë para tanve me Hajdukun kam fol ma s’pari. Ata kanë pasë dëshirë me më marrë. Pastaj kanë qenë Dinamo, ka qenë Zvezda. Po, aty kam nënshkruar me Hajdukun”, rrëfeu Prekazi. “Hajduku kanë qenë atë kohë klubi më i madh në Jugosllavi”.
Disa vite më parë, Prekazi kishte deklaruar se kurrë nuk e ka dashur Prishtinën.
“Unë Prishtinën si klub futbollistik kurrë s’e kam dashur. Vëllai im, Luani, kur ishte kthyer nga Beogradi/Partizani, ka luajtur për Prishtinën dhe si djalë i vogël unë me disa shokë prej Mitrovicës kemi shkuar për ta përcjellë në lojën Prishtina kundër Trepçës, dhe besoj që askush s’mund ta besojë që unë s’kam qenë për Prishtinën por për Trepçën, edhe pse Luani ka pas luajtur në mënyrë fantastike dhe e kishte dhënë një gol të bukur, por unë pas lojës kam qarë sepse Prishtinën kurrë s’e kam dashur, edhe pse Luani ka luajtur për të”, kishte thënë ai në vitin 2017.
Xhevat Prekazi është vëllai i Luan Prekazit, po ashtu ish-futbollist i Partizanit të Beogradit, por edhe i Prishtinës.