Xhaka: Skuadrat italiane janë gjithmonë të forta në mbrojtje, Atalanta…
Përpara finales së Dublinit kundër Atalantës, 31-vjeçari i mesfushës së Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, i dha UEFA.com një pamje nga prapaskenat e BayArena, duke shpjeguar se si trajneri, Xabi Alonso e ka transformuar skuadrën në një fitues të mundshëm të ‘Tripletës’ që kur mori drejtimin e skuadrës gjermane në 2022.
Mbi sekretin e suksesit të Leverkusenit.
“Shumë faktorë. Është e qartë se nuk mund të fitosh ndeshje pa cilësi, kështu që cilësia është e para. Edhe mentaliteti: dëshira, uria për të luajtur futboll, për të mos humbur dhe për të punuar. Puna që bëjmë ditë pas dite, para stërvitjes apo pas stërvitjes, këto janë gjërat kryesore”, tha ai.
Për atë që e bën këtë ekip të veçantë.
“Ekipi ka disa lojtarë shumë të rinj që janë të uritur për të fituar, por ka edhe lojtarë më me përvojë që ende e kanë këtë uri. Kjo përzierje e lojtarëve me përvojë dhe të rinj, dhe respekti që tregojmë për njëri-tjetrin çdo ditë, është mënyra për të përshkruar këtë ekip”, ka pohuar Xhaka.
Për Xabi Alonson.
“Unë do të fokusohesha në personalitetin e tij dhe mentalitetin e tij fitues. Ai e kishte kur ishte lojtar. Por edhe si trajner na e transmeton këtë, jo vetëm në ndeshje por edhe në stërvitje. Gjithmonë na jep udhëzime se si të fitojmë ndeshje, se si të qëndrojmë të qetë edhe nëse po kalojmë një moment jo shumë pozitiv”.
Për finalen kundër Atalantës. “Finalet janë atje për t’u fituar. Skuadrat italiane janë gjithmonë të veçanta dhe të forta në mbrojtje. Atalanta është edhe më e specializuar për këtë. Do të ketë shumë duele një kundër një në fushë. Ata janë fizikisht shumë të fortë dhe të shpejtë, por edhe ne kemi disa cilësi”.