Xhaka para ndeshjes me Anglinë: Besojmë në forcat tona
Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka e pranon se sfida me Anglinë, do të jetë një ndeshje e vështirë, por ai beson në forcën e skuadrës së tij.
Anglia dhe Zvicra do të ndeshen të shtunën në Dyseldorf në kuadër të çerekfinales së Evropianit ‘Gjermani 2024’.
Kapiteni i Zvicrës në një intervistë për ‘20min.ch’, thotë se i njeh shumicën e lojtarëve të Anglisë nga koha kur ai ishte pjesë e Arsenalit.
“Anglia ka shumë më shumë lojtarë se kombet e tjera që luajnë në ligën e tyre vendase. Kjo bën që për mua të jetë e veçantë, pasi gjatë kohës sime në Premier Ligë kam luajtur kundër shumë prej tyre disa herë”, ka thënë Xhaka.
“Është një ndeshje eliminatore si çdo tjetër. Ne kemi vetëbesim dhe jemi të fokusuar në forcat tona, pavarësisht kundërshtarit”, ka theksuar Xhaka.
Ndeshja Angli-Zvicër fillon në orën 18:00.