Xavi shpreson që Superkupa të jetë pika e kthesës për Barçën
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, shpreson që fitimi eventual i Superkupës së Spanjës të jetë pika e kthesës për skuadrën në garën për titull në La Liga siç kishte ndodhur në vitin e kaluar.
Kur Barça mposhti Real Madridin 3-1 në finalen e Superkupës së vitit të kaluar skuadra e Xaxit fitoi nëntë nga dhjetë ndeshjet e ardhshme duke dalur në fund kampion. Barça aktualisht është e treta në tabelë, shtatë pikë prapa liderit Real Madrid.
“Sigurisht, ne duam ta përsërisim këtë. Shpresoj që ne të arrijmë atë pikë kthese edhe këtë sezon që skuadrës i duhet për të fituar moralin dhe besimin”, u ka thënë Xavi gazetarëve të mërkurën para gjysmëfinales së Superkupës së Barcelonës kundër Osasuna të enjten në Riad.