Xavi: Projekti im, në gjysmë të rrugës, dua një Barcelonë të madhe
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, foli në konferencë për shtypin në prag të ndeshjes kundër Shakhtar Donetsk, duke paralajmëruar se do të bëjë rotacion në formacion:
“Nuk zhvilluam një ndeshje të mirë kundër Real Sociedadit. Ata luajtën me më shumë intensitet, por ne morëm 3 pikë kundër një ekipi të madh.
Sigurisht që do të ketë rotacion për shkak të lodhjes, goditjeve të marra, shqetësimeve të shumta fizike. Kemi 9 pikë nga 9 të mundshme, praktikisht një ecuri e deritanishme ideale, duhet të konfirmojmë veten. Nuk duhet të lëmë të na ikë mundësia.”
Xavi sqaron stilin e lojës që dëshiron të shohë në fushë:
“Ne duhet të rikuperojmë një nivel të caktuar. Identiteti ynë është të përpiqemi të imponohemi, të dominojmë, të rikuperojmë topin me presion të lartë. Projekti im është në gjysmë të rrugës, ne duhet të jemi një Barcelonë e madhe, që garon në Evropë dhe dominon në Spanjë. Filmi perfekt është të luash mirë dhe të fitosh.”