Xavi: Në futboll nuk fiton gjithnjë më i miri, ta vendosim Realin në presion
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së radhës në kampionat përballë Mallorcas së Vedat Muriqit.
Tekniku i blaugranave theksoi se dëmtimi i Pedrit nuk është aq i rëndë sa mendohej ndërsa shtoi se në futboll nuk fiton gjithnjë skuadra më e mirë.
“Mallorca është një skuadër shumë e fortë fizikisht, lojtarët e ndihmojnë shumë njëri-tjetrin në fushë. Janë të rrezikshëm në kundërsulm, por ne luajmë në shtëpi dhe duhet të marrim tre pikët.
Pedri? Për fat të mirë dëmtimi nuk është aq i rëndë sa menduam në fillim. Shpresoj që të rikthehet shpejt dhe të na ndihmojë. Gjithsesi më e rëndësishme është që të rikuperohet plotësisht dhe të mos e rrezikojmë. Nuk është lojtari i parë që pëson kaq shumë dëmtime në fillimin e karrierës.
Ai duhet të mendojë se ky ishte dëmtimi i fundit dhe të luajë i qetë. Ka pasur shumë presion mbi të edhe pse është në një moshë shumë të re, duhet të mendojë pozitivisht. Të rikuperohet në 100% dhe për momentin të mos e mendojë Europianin në verë.
Për kampionatin do të provojmë deri në fund, skuadra është e motivuar. Në futboll jo gjithmonë fitoi më i miri. Reali në dy ndeshje mori 34 goditje nga Leipzig, nëse do të na kishte ndodhur ne me siguri që do të kishim humbur. Nuk e kemi dorëzuar LaLiga-n, kemi një tjetër mundësi për të fituar me Mallorcan dhe për ta vendosur Realin në presion.