WSJ: Izraeli dhe SHBA-ja po përgatiten për hakmarrje iraniane
Izraeli dhe SHBA-ja po përgatiten për një “sulm hakmarrës të paparashikueshëm iranian ndaj Izraelit sa më parë këtë fundjavë”.
“Nuk ka asnjë pikë. Izraeli kaloi të gjitha linjat e kuqe. Përgjigja jonë do të jetë e shpejtë dhe e rëndë”, raportoi ‘Wall Street Journal’, duke cituar një diplomat iranian.
Sipas gazetës amerikane, Diplomati iranian, që ishte informuar nga qeveria e tij, tha se përpjekjet e vendeve të ndryshme për të bindur Teheranin që të mos përshkallëzojë situatën kanë qenë dhe do të jenë të “pa frytshme” duke marrë parasysh sulmet e fundit të Izraelit.
Raporti vjen pasi Pentagoni njoftoi se SHBA-ja do të vendos mjete ushtarake shtesë në Lindjen e Mesme mes tensioneve në rritje.
“Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të ndërmarrë hapa për të zbutur mundësinë e përshkallëzimit rajonal nga Irani ose partnerët e Iranit. Sekretari (Lloyd) Austin ka urdhëruar rregullime në pozicionin e ushtrisë së SHBA-së të dizajnuara për të përmirësuar mbrojtjen e forcave amerikane, për të rritur mbështetjen për mbrojtjen e Izraelit dhe për të siguruar që SHBA është e përgatitur për t’iu përgjigjur situatave të ndryshme”, tha Sabrina Singh, zëdhënëse e Pentagonit..
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një telefonatë të enjten diskutuan dislokimet ushtarake amerikane për të mbështetur Izraelin kundër kërcënimeve, me presidentin amerikan që ri-pohoi angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit kundër të gjitha kërcënimeve nga Irani, duke përfshirë “grupet terroriste prokurë të tij” Hamasi, Hezbollahu dhe Houthi.
“Presidenti diskutoi përpjekjet për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit kundër kërcënimeve, duke përfshirë kundër raketave balistike dhe dronëve, për të përfshirë vendosjet e reja ushtarake mbrojtëse të SHBA-së”, tha Shtëpia e Bardhë.
Të paktën 39.500 palestinezë janë vrarë që kur Izraeli filloi ofensivën brutale në Rripin e Gazës më 7 tetor, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas.
Sulmi ka shkaktuar rritje të tensioneve rajonale në të gjithë Lindjen e Mesme, me përshkallëzimin e fundit që erdhi këtë javë kur lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra gjatë një vizite në Iran. /atsh/