WSJ: 3 000 ushtarë koreano-veriorë të vrarë në Ukrainë

WSJ: 3 000 ushtarë koreano-veriorë të vrarë në Ukrainë

Bashkëpunimi ushtarak midis Koresë së Veriut dhe Rusisë po intensifikohet, sipas ”Wall Street Journal”.

Sipas gazetës, Pheniani po rrit furnizimin me armë në Moskë për luftën në Ukrainë në këmbim të parave dhe naftës, duke lejuar ushtrinë ruse të fitojë terren.

“Në fakt, pamjet satelitore tregojnë se dhjetëra fabrika të Koresë së Veriut po punojnë me kapacitet të plotë”, shkruan gazeta amerikane.

Me një kosto njerëzore të cilën, megjithatë, Kim Jong-un duket i gatshëm ta paguajë për të siguruar aleancën ushtarake me Vladimir Putin.

Mijëra ushtarë të Koresë së Veriut të dërguar për të mbështetur ushtrinë ruse thuhet se kanë vdekur ose janë plagosur në front, kryesisht në Kursk, rajoni rus i pushtuar pjesërisht nga forcat e Kievit në verë dhe të cilin Moska po përpiqet ta ripushtojë.

Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili citon të dhënat paraprake nga kreu i forcave të tij të armatosura nga vija e frontit, humbjet e Koresë së Veriut kanë kaluar tashmë 3 000 burra.

“Por, kjo nuk e ndal Phenianin, i cili po mendon të dërgojë më shumë trupa dhe pajisje ushtarake”, paralajmëroi udhëheqësi ukrainas.

“Por, përtej shifrave”, konfirmoi Seuli, ”Kim është ende duke prodhuar dhe dorëzuar drone vetëshkatërrues në Rusi dhe furnizon raketahedhës të kalibrit 240 milimetra dhe armë vetëlëvizëse 170 milimetra.

Për të vulosur bashkëpunimin midis Moskës dhe Phenianit, ushtarët e Koresë së Veriut mund të ftohen gjithashtu të marshojnë në paradën në Sheshin e Kuq më 9 maj, në përvjetorin e tetëdhjetë të fitores sovjetike në Luftën e Dytë Botërore. /ATSH/

Share This