Wolff: Nuk do ta lëshojmë vendin e dytë
Ferrari e mbylli sezonin 2022 të Formula 1 në vendin e dytë të renditjes për konstruktorë, por aktualisht “kokëkuqja” ndodhet në vendin e katërt.
Paraqitjet me luhatje të këtij sezoni kanë bërë që makina italiane të jetë jo vetëm pas Red Bullit, por edhe pas Mercedesit e Aston Martinit. Toto Wolff, drejtori sportiv i Mercedesit, në prag të garës së Holandës që zhvillohet këtë fundjavë, ka deklaruar se për të beteja për vendin e dytë sapo ka nisur.
“Do të impenjohemi në maksimum dhe deri në fund për të mbrojtur vendin e dytë në botërorin për konstruktorë”, ka thënë Wolff.
“Ne do të paraqesim në këtë garë disa risi, ndërkohë që mendojmë edhe për 2024-ën. Kjo është një pistë impenjative, një pistë e shkollës së vjetër, ndaj duhet kujdes që të mos lëmë asnjë pikë. E dimë që Ferrari është në rritje, por nuk do t’ia lëshojmë kollaj vendin”, u shpreh Toto Wolff.
Mercedesi ka 247 pikë në renditje, ndjekur nga Aston Martin (196 pikë), Ferrari (191 pikë) e McLaren (103 pikë).
Ndërkohë që, në vendin e parë është padyshim Red Bull, që me 503 pikë thuajse ka hipotekuar titullin kampion për konstruktorë.