Vuçiqi e lidh Kurtin me protestat e shqiptarëve në Luginë

Vuçiqi e lidh Kurtin me protestat e shqiptarëve në Luginë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar protestën e qytetarëve shqiptarë në Preshevë kundër diskriminimit. Të hënën shqiptarët e Luginës kanë protestuar për herë të dytë kundër diskriminimit që po përjetojnë në Serbi.

Vuçiq ka ndërlidhur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me protestën. Ai ka folur për gazetarët nga New Yorku.

“Po ankohen sepse forcat e Kurtit nuk arritën të bëjnë qeveri të pavarur, mbi të gjitha në Bujanoc dhe ky është problemi kryesor i tyre. Kështu funksionon demokracia, ne nuk kemi problem me këtë, askush nuk i ka rrahur e as ngacmuar. Serbia është vend demokratik, ne do të vazhdojmë të sillemi kështu”, ka thënë Vuçiq, raporton “Tanjug”.

Vuçiq ka folur edhe për paralajmërimet e emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin se Kosova mund të ndëshkohet nëse nuk e heq bllokimin e mallrave nga Serbia.

“Gjermania nuk i kërcënon shqiptarët, askush nuk i kërcënon, shqiptarët i kërcënojnë të gjithë me atë që nuk duan qarkullim të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Shqiptarët nga Kosova, natyrisht nga Prishtina dhe do të shohim se si do të zhvillohet”, tha Vuçiq, ndërsa tha se do të takohet në New York me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Presidenti serb tha se do të dekorojë përfaqësuesit e shteteve që votuan kundër miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në maj.

Share This