
Vuçiq pas takimit me Sorensen: Pa Asociacion nuk ka normalizim thelbësor
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen. Tema e bisedës ishte vazhdimi i dialogut.
“Vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor,” deklaroi presidenti serb Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me Sorensenin.
Sipas njoftimit nga Presidenca e Serbisë, Vuçiq në një takim “të hapur dhe korrekt” me Sorensenin, shprehu shqetësim, sipas tij, për “pozitën e vështirë” të serbëve në Kosovë. Ai e informoi të dërguarin evropian për “problemet me të cilat përballet populli serb në Kosovë”, si dhe për, siç tha ai, “veprimet përshkallëzuese, të njëanshme dhe të dhunshme të Prishtinës”.
“Kam theksuar gjithashtu pengesat e vazhdueshme që po bën Prishtina në procesin e dialogut dhe kam përsëritur se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pas 12 vitesh refuzimi nga ana e Prishtinës për ta zbatuar këtë obligim, është parakusht për fillimin e një normalizimi thelbësor të marrëdhënieve,” thuhet në deklaratën e presidencës.
Vuçiq po ashtu theksoi pritshmëritë që BE-ja të rrisë angazhimin e saj dhe të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjeve kompromisi.
Takimi u mbajt në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës, pa deklarata për media.
Javën e kaluar, Sorensen vizitoi Prishtinën, ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryenegociatorin Besnik Bislimi, si dhe me liderët e opozitës dhe përfaqësues të Listës Serbe.
Nga Prishtina, Sorensen tha se pas vizitës në Beograd dhe Prishtinë do të bëjë një vlerësim se ku qëndron dialogu. “Thelbi i dialogut është që palët të takohen. Nëse do të bëjnë kompromise apo jo, kjo është në dorën e tyre. Por dialogu duhet të ekzistojë, dhe ai po zhvillohet që nga viti 2011,” deklaroi Sorensen.
Vizita e të dërguarit të ri të BE-së në Beograd dhe Prishtinë është pjesë e përpjekjeve të Brukselit për të rifilluar dialogun që ndodhet në ngecje. /rtk/