Vuçiq: Kurti vuan ta veshë uniformën e të aktrojë si Zelensky i vogël
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar opinionin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në gazetën amerikane “New York Times” për armatosjen e Serbisë dhe afërsinë e saj me Rusinë, ka thënë se Kurti “është i vetmi që dëshiron luftë”.
Të premten në NYT u publikua një vështrim i Kurtit. Ai aty ka shkruar se “një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë”.
Kurti ka thënë se hapja e një fronti të ri në Ballkan do t’i mundësonte Serbisë që të përpiqet “të pushtojë territorin me agresion”.
Duke iu përgjigjur shkrimit, Vuçiqi në një konferencë për media akuzoi Kurtin se “vuan të veshë uniformën e të aktrojë si një Zelensky i vogël”.
“A po armatosemi ne, epo po. Pak më tepër sesa që ai do të dëshironte e shumë më pak sesa që unë do të doja. Siç ata po armatosen, në fakt po i armatosin duke nisur prej turqve deri te gjermanët dhe amerikanët, shumë më tepër sesa unë dua, e shumë më pak sesa që ai do të dëshironte. E ato marrëzitë e tij se kush dëshiron luftë, është ai i vetmi që do luftë, pasi që gjithë jetën vuan që ta veshë uniformën dhe ta aktrojë në Ballkan Zelenskyn e vogël, por kjo dëshirë nuk do t’i plotësohet pasi që ai nuk e ka asnjë lidhje me territorin sovran dhe të pavarur, Ukraina megjithatë është territor ndërkombëtarisht i pranuar e ata nuk janë, kështu që ai mund të vuaj për luftëra por ëndrrat tona janë ndryshe. Ëndrrat e tij janë të bëjë luftë, e ëndërr e imja është Serbia e suksesshme, ekonomikisht e përparuar, një Serbi që do të jetë bindshëm më e zhvilluara në këtë pjesë të Evropës dhe ëndrrat i kemi aq të ndryshme saqë nuk mund të krahasohemi”, ka thënë Vuçiqi.
Në shkrimin në NYTimes, Kurti ka thënë se Serbia ka investuar shumë në ushtrinë e vet dhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, nën drejtimin e Vuçiqit. Ai kujtuar po ashtu se Vuçiqi ka qenë ministër i propagandës nën udhëheqjen e Millosheviqit.