Vuçeviq dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Serbisë

Vuçeviq dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Serbisë

Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, njoftoi në një adresim të jashtëzakonshëm se jep dorëheqje nga ky funksion. Ai paralajmëroi gjithashtu dorëheqjen e kryetarit të Novi Sadit, Milan Gjuriq. Vuçeviq deklaroi se jep dorëheqje të parevokueshme pas ngjarjeve të mbrëmshme në Novi Sad, kur anëtarët e SNS sulmuan studentët.

Tre muaj pas tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona, kryeministri serb Milosh Vuçeviq dha dorëheqje. Vendimi pasoi dhunën ndaj studentëve në Novi Sad, të cilët mbrëmë u sulmuan ndërsa po ngjitnin sticker-a në shenjë proteste.

“Herët në mëngjes, pasi mësova se një studente e re ishte lënduar rëndë gjatë sulmit, vendosa të jap dorëheqje të parevokueshme. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranoi këtë vendim,” deklaroi Vuçeviq.

“Partia që drejtoj, e cila ka fituar zgjedhjet së bashku me presidentin e Republikës që nga viti 2012, duhet të tregojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë, duhet të sjellë dhe të tregojë norma të reja në politikën serbe, duhet të tregojë se është më e përgjegjshme dhe për këtë arsye, pas këtyre ngjarjeve në Novi Sad, vendimi im i parevokueshëm është të jap dorëheqje nga posti i kryeministrit,” tha Vuçeviq.

Ai njoftoi edhe dorëheqjen e kryetarit të Novi Sadit, Milan Gjuriq, një nga kërkesat kryesore pas tragjedisë në atë qytet.

“Me këtë i kemi përmbushur edhe kërkesat më politike të pjesës më ekstreme të protestuesve. Si kryeministri dhe kryetari i Novi Sadit, ne besojmë se jemi përgjegjës për atë që ndodhi dhe si përgjegjës japim dorëheqje. Le të çojë kjo në qetësimin e situatës dhe kthimin në dialog dhe bisedime,” tha kryeministri në dorëheqje.

Sulmi ndaj studentëve ndodhi gjatë natës, kur, sipas dëshmitarëve, një studente dhe një koleg i saj u sulmuan nga burra të armatosur me shkopinj bejsbolli, pasi dolën nga selia e Partisë Progresive Serbe (SNS) në Novi Sad. Studentët po ngjitnin sticker-a në shenjë proteste.

Qendra Klinike Universitare e Vojvodinës konfirmoi se studentja pësoi lëndime të rënda trupore dhe ndodhet në mbikëqyrje në Qendrën e Urgjencës. Policia arrestoi katër të dyshuar, ndërsa prokuroria në Novi Sad e kualifikoi incidentin si sjellje të dhunshme dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore. Studentët deklaruan: “Dje na ftoni për dialog, sot dërgoni sulmues me shkopinj. Boll më me gjak!”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët deklaroi se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur dhe bëri thirrje për dialog, por studentët theksuan se ata kërkojnë që “institucionet të bëjnë punën e tyre në përputhje me ligjin dhe pa presione politike.”

Vuçiq, Vuçeviq dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, dje mbajtën një konferencë për media ku diskutuan kërkesat e studentëve. Presidenti kërkoi një ristrukturim urgjent të qeverisë.

Reagimet e para të opozitës e cilësuan dorëheqjen e Vuçeviqit si një “lëvizje kozmetike,” duke theksuar nevojën për përgjegjësi penale. Përveç kësaj, një pjesë e opozitës kërkon një qeveri kalimtare si zgjidhje e vetme e krizës.

Ky sulm ndodhi vetëm disa orë pasi presidenti Vuçiq deklaroi se është e nevojshme të nisë dialogu në shoqëri dhe se ky mund të jetë fillimi i shërimit të saj. Në ndërkohë, opozita në Novi Sad pretendon se “Vuçiq publikisht fton për dialog, ndërsa fshehtas dërgon sulmues ndaj studentëve.”

Protesta studentore kulmoi me një bllokadë 24-orëshe të Autokomandës në Beograd, ku qytetarët dhe studentët bashkërisht deklaruan se nuk do të ndalen deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.

Deputetët opozitarë njoftuan bojkotimin e Kuvendit Kombëtar deri në përmbushjen e kërkesave të studentëve. /rtk/

Share This