Vrasja e zyrtarit policor, kërkohet paraburgim për të gjithë të dyshuarit

Vrasja e zyrtarit policor, kërkohet paraburgim për të gjithë të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë qytet caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policisë, rreshterin Muhamed Lika.

Prokuroria thotë se, i ndjeri Lika ishte përcjellë në vazhdimësi nga ky grup në natën që ndodhi vrasja.

“Pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, ishte përcjell në vazhdimësi nga madhorët deri te hyrja e banesës, ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor, i mituri me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri dhe në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit,  viktima ka ndërruar jetë”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se me këtë në bashkëkryerje, të pandehurit do të kryenin veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Të pandehurit që nga data 22 Prill 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë Gjykata Themelore ia kishte caktuar të hënën një muaj paraburgim njërit prej të dyshuarve kryesor për vrasjen e rreshterit të policisë. I njëjti më herët kishte qenë i dënuar për veprën penale “dhunim”, raporton rtk.

Share This