LAJMI I FUNDIT

Vrasja e policit në Serbi: Taksisti që e voziti Hajrizin jep versionin e tij para organeve të rendit

Në Loznicë të Serbisë është një gjendje e rrethimit pasi mbrëmë raportohet të jetë vrarë një polic dhe një tjetër të jetë plagosur.

Autoritetet serbe, përgjegjës për këtë vrasje e kanë bërë shtetasin kosovar, Artan Hajrizi, pasi thotnë se në vend të ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës me emrin e tij.

Raportohet se i dyshuari Artan Hajrizi ka qenë duke udhëtuar me një taksi, i vetëm me shoferin, mirëpo informacionet e fundit thonë se në fakt, në veturë ka qenë vëllai i tij, Fatoni.

Babai i Artan dhe Faton Hajrizit, për “Nacionale” ka thënë se Fatoni ia ka vjedhë pasaportën Artanit në Gjermani.

Ai potencoi se Artani është duke punuar në Gjermani, dhe se këtë vepër, sipas tij, e ka bërë Fatoni.

Media serbe “Novosti” nga persona të afërt me hetimin, ka raportuar se taksisti nga Tutini, Serbi, i ka marrë nga i dyshuari 450 euro për ta transportuar atë për në Loznicë.

Sipas taksistit, marrëveshja ka qenë gjoja për ta çuar atë në një hotel në pronësi të, siç tha taksisti i arrestuar, Marko Markoviq.

Megjithatë, mediat serbe raportojnë se një hotel i tillë nuk ekziston.

Sipas “Novosti”, Policia e ka pyetur taksistin, “a nuk ishte e dyshimtë se kë dhe ku po e çoje”, për të cilën ai nuk u përgjigj saktë dhe qartë.

Po ashtu, thuhet se ai po e transportonte një shqiptar të shpallur në kërkim dhe i cili donte të kalonte në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sipas mediave serbe, pas ndalimit nga policia kufitare, i dyshuari ka deklaruar se ishte nisur për të vizituar një shok në Loznicë dhe pasi pjesëtarët e Policisë i kërkuan që t’u tregonte çantën që mbante, ai ka hapur zjarr ndaj tyre, duke lënë një të vrarë dhe një të plagosur.