Vojvoda: S’kisha shënuar qe dy vjet dhe trajneri ma kërkonte një gol, i lumtur që e realizova
Mërgim Vojvoda ka qenë mbrëmë protagonist në fitoren e Torinos në Kupën e Italisë.
Futbollisti kosovar e realizoi një gol dhe e dhuroi një asistim në fitoren 2:1 kundër ekipit FeralpiSalo.
Mbrojtësi i krahut ndihet i lumtur për golin dhe për kontributin, ndërsa e zbulon një detaj nga një kërkesë që ia kishte bërë trajneri Ivan Juric, të cilën më në fund e realizoi.
“Jemi përgatitur mirë për këtë lojë që kur luajtëm me FeralpiSalo në fazën përgatitore. Kemi luajtur mirë”, tha fillimisht përfaqësuesi kosovar pas lojës për “Torino Channel”, përcjell “Express”.
“Qe dy vjet po provoj të shënoj. Dje, trajneri ma kujtoi që kanë kaluar dy vjet që nuk kisha shënuar. Sot ma kërkoi një gol dhe jam i kënaqur që e realizova”, vazhdoi ai.
Tash, Torinon e pret një sfidë më e vështirë, sezoni i ri në Serie A.
“Granata” do ta nisin sezonin në fundjavë me ndeshjen kundër Cagliarit.
“Duhet ta presim një Cagliari të uritur, do të jetë një ndeshje e vështirë. Ata janë të motivuar pasi e fituan Serie B. Por, ne e dimë se çka duhet të bëjmë, do të luajmë në shtëpinë tonë, duhet të bëjmë mirë. Sot e mira është që e kemi kaluar këtë xhiro në Kupë, do të shkojmë përpara hap pas hapi dhe do të mundohemi të shkojmë sa më larg të jetë e mundur”, përfundoi Vojvoda, i cili është lojtar i rëndësishëm i Torinos.