Vojvoda: Për kualifikim nuk mjafton vetëm fusha
Përfaqësuesja e Kosovës i ka mbyllur me humbje kualifikimet për Kampionatin Evropian, duke pësuar nga Bjellorusia.
“Dardanët” u mposhtën 0:1 nga Bjellorusia, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Antilevskiy realizoi supergol për bjellorusët në minutën e 43-të e që në fund doli të ishte vendimtar për epilogun final të takimit.
Edhe mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda u deklarua pas ndeshjes.
“Nuk është që Bjellorusia ka pasur shumë raste, që e ka pasur lojën në kontroll. Ne kishim shumë raste, por nuk shënuam golin që do të na jepte vetëbesim. E morëm golin nga gjysmërasti, por ky është futbolli, duhet të pajtohemi”, ka thënë fillimisht Vojvoda.
Tutje, ai ka folur në përgjithësi për rrugëtimin e Kosovës në këtë cikël të kualifikimeve për “Euro 2024”, duke thënë se duhet të marrin më shumë përgjegjësi.
Ai më pas ka folur për gjithë ciklin kualifikues.
“E kemi dhënë maksimumin, por kemi pasur edhe shumë mungesa fatkeqësisht. Lojtarët e ri duhet t’i falënderojmë shumë. Është një përvojë e madhe për ta për të ardhmen. E lëshuam edhe një rast për kualifikim, por nuk ishte lehtë. Kemi lojtarë fantastikë. Ambienti është i mirë, i kemi inkuadruar lojtarët e rinj shumë mirë. Unë mund të flas për fushë dhe për kohën kur jemi bashkë. Ne kalojmë shumë mirë. Për kualifikim nuk është vetëm fusha, ka shumë gjëra. Shumë persona, shumë staf. Duhet të marrim përgjegjësinë. Unë kur vijë e jap maksimumin. Duhet të marrim përgjegjësi më të mëdha”, shtoi ai.
Për fund ai pati disa fjalë edhe për gjendjen e rënduar të stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Sot u kanë shumë zor. Do të kishim pasur qejf të kemi një stadium më të mirë. Nuk e di kush e ka këtë përgjegjësi. Unë vij për të luajtur. Shpresoj se do të kemi kushte më të mira”, përfundoi drenicasi.
Kosova me këtë humbje përfundon në pozitën e parafundit (5) me 11 pikë. Bjellorusia ngritet në vendin e katërt me 12 pikë.
Nga vendi i parë në Evropian shkon Rumania me 22 pikë të tubuara, ndërkaq e dyta është Zvicra me 17 të tilla.