Në merkaton verore shumë kishin dyshime për investimin e bërë nga Leçe për të afruar një lojtar si Ylber Ramadani.
Klubi salentin pagoi diçka më shumë se 1.2 milionë euro për kartonin e shqiptarit, i cili u largua nga Aberdin drejt Serisë A.
Edhe pse portali i specializuar për vlerat e kartonëve të lojtarëve “Transfermarkt” vlerëson 27-vjeçarin me 800 mijë euro drejtuesit e Leçes tani më shumë se kurrë janë të bindur se investimi i bërë në verë ka qenë i duhuri.
Ramadani shkoi në Salento pasi Leçe vendosi që të shiste Morten Hjulmand tek Sportingu i Lizbonës për 18 milionë euro.
Ky është një sinjal i mirë për 27-vjeçarin pasi mendohet se ardhmja e tij mund të jetë në një tjetër klub më prestigjoz në Europë.
Sigurisht që nëse Shqipëria do të kualifikohej në Euro 2024 atëherë “vitrina” për Ramadanin do të ishte edhe më e madhe ashtu siç do të ishte edhe fitimi i Leçes prej shitjes të tij.