Vjosa dhe Drinoja atraksione turistike, preferohen nga vizitorë vendas e të huaj
Rrjedhat e lumit Drino dhe Vjosa që gjarpërojnë në jug të vendit po kthehen në atraksione turistike. Në këta lumenj nuk zhvillohen vetëm sporte të aventurës, por shumë banorë i zgjedhin për të marrë rreze dhe për t’u freskuar në ujërat e tyre në këto ditë të nxehta vere.
“Ne jemi nga Holanda dhe po qëndrojmë prej dy javësh në Shqipëri. Prej gati 3 ditësh po qëndrojmë në Ujë të Ftohtë. Këtu është një mrekulli, peizazhi na ka mahnitur”, tha një turiste.
Edhe operatorët turistikë e shikojnë këtë si një mundësi të mirë për ta ofruar tek grupet turistike.
Ky është viti i parë që Gerlant Kerçanaj ofron tek vizitorët turizmin me kampe anës lumit Drino. Ai thotë se turizmi i natyrës preferohet më tepër.
“Duke parë që këtë lloj turizmi nuk e praktikojnë shumë operator të tjerë vendosa ta çoj më tutje”, u shpreh Gerlant Kercanaj,
Operatorët turistikë në Gjirokastër e shikojnë si një mundësi të mirë edhe zhvillimin në rrjedhat e dy lumenjve të sporteve të aventurës, pasi turistët shfaqin tepër interes për to. /rtsh/