
Vitia në Zi: Komuna shpall ditë zie për humbjen tragjike të tre të rinjve
Komuna e Vitisë është tronditur rëndë nga humbja tragjike e tre të rinjve brenda vetëm tre ditësh. Për të nderuar jetën e tyre dhe për të shprehur solidaritet me familjet e pikëlluara, Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, ka shpallur të mërkurën, më 11 qershor 2025, ditë zie në territorin e komunës.
“Në nderim të jetës së tyre dhe për të shprehur solidaritetin e institucioneve dhe të gjithë qytetarëve me familjet që po përballen me këtë dhembje të madhe, shpall të mërkurën ditë zie në Komunën e Vitisë,” thuhet në njoftimin zyrtar të kryetarit Haliti.
Gjatë ditës së zisë, do të ndërmerren këto veprime:
Flamujt në të gjitha institucionet komunale do të ulen në gjysmështizë;
Të gjitha aktivitetet kulturore, sportive dhe festive do të pezullohen;
Institucionet dhe qytetarët do të nderojnë kujtimin e të ndjerëve me heshtje dhe respekt.
Kryetari Haliti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në këtë ditë zie për të nderuar kujtimin e të ndjerëve dhe për të qëndruar pranë familjeve në këtë moment dhimbjeje të thellë.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe i pastë të ndjerët në mëshirën e Tij,” përfundon mesazhi i kreut të komunës.