Vishaj flet për situatën me COVID-19: Nuk ka nevojë për panik
Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive ka folur lidhur me situatën me COVID-19.
Ai ka thënë se aty janë duke u trajtuar dhjetë persona, ka thënë se dy ditë më parë kanë vdekur edhe dy pacientë të tjerë, për të cilën Klankosova.tv kishte raportuar me burime.
“Aktualisht në Klinikën Infektive i kemi të hospitalizuar dhjetë pacientë, dy nga ata janë me oksigjenoterapi. Dy ditë më parë në Klinikën Infektive, dy pacientë kanë përfunduar me vdekje, njëri në moshën 80-vjeçare, i cili ka qëndruar në Klinikën Infektive dy orë, nga se ka pasë sëmundje tjera të rënda kronike, dhe një pacient tjetër në moshën 67-vjeçare që kishte sëmundje të tjera kronike”, ka thënë Vishaj.
Vishaj ka shtuar se situata me COVID-19 për momentin është nën kontroll.
“Për momentin kemi mjaftueshëm oksigjenoterapi, kemi barna dhe staf mbështetës mjaftueshëm, mendoj se nuk ka nevojë për panik, ne jemi duke përcjellë me vëmendje të shtuar situatën epidemiologjike, varësisht nga situata do të veprojmë konform situatës që na vjen”, ka thënë Vishaj. /Klankosova.tv