Visar Bekaj optimist: Pse të mos fitojmë në Oslo
Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka mbajtur sot pasdite seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për miqësoren kundër Norvegjisë.
Norvegjia dhe Kosova do të përballen më 5 qershor në Oslo, në një ndeshje miqësore e cila pritet të prodhojë një sfidë interesante.
Pas stërvitjes së sotëm portieri Visar Bekaj, është shprehur i kënaqur me punën që po bëhet në prag të duelit me norvegjezët.
‘Gardiani’ i Dardanëve thotë është duke u analizuar mirë kundërshtari i radhës.
Bekaj thekson se skuadra e tij ndaj Norvegjisë duhet të jetë e përqendruar 100 përqind, anipse është vetëm një ndeshje miqësore.
Ai është i bindur se Kosova mund të fitojë në Oslo.
“Në fillim kemi pasur stërvitje më intezive, kurse me afrimin e ndeshjes po punojmë më shumë taktikisht. Jemi duke e analizuar mirë kundërshtarin. Është ndeshje miqësore, por prapëseprapë e ka rëndësinë e vet dhe duhet të fokusohemi 100 përqind”, ka thënë Bekaj.
“Duhet të fusim në ekip mentalitet fituesi dhe shpresoj të shkojmë të bëjmë lojë të mirë atje dhe pse jo të fitojmë, pastaj të vazhdojmë në Ligën e Kombeve me fitore. Norvegjia ka lojtarë të mirë. Pika e fortë e tyre është mesfusha dhe sulmi, por në ndeshjet e fundit kanë çaluar në mbrojtje. Shpresoj se do të analizojmë deri në fund se ku i kanë pikat e dobëta dhe të dalim mirë. Po ashtu, i ftoj bashkatdhetarët që të na mbështesim sa më shumë dhe shpresoj t’i gëzojmë me fitore”, ka pohuar ai.
Stërvitjen e radhës Dardanët e zhvillojnë nesër paradite, derisa pasdite udhëtojnë në Oslo.