Virgil van Dijk thotë se suksesi i Liverpool vjen nga forca e grupit
Kapiteni i Liverpool, Virgil van Dijk ka vlerësuar punën e trajnerit të ri, Arne Slot, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit për arritjen e suksesit.
Mbrojtësi holandez ka thënë se Slot ka nisur me sukses detyrën e tij si trajner i Liverpool, duke sjellë ide të reja dhe duke u bazuar në potencialin e grupit të lojtarëve.
“Ai ka ardhur dhe deri tani ka bërë një punë shumë të mirë. Sipas mendimit tim, ai ka trashëguar një skuadër shumë të mirë jo vetëm si lojtarë futbolli, por edhe si njerëz, djem që janë të gatshëm të luftojnë për njëri-tjetrin”, ka thënë Van Dijk.
Pavarësisht progresit, kapiteni holandez i skuadrës angleze ka bërë thirrje për kujdes, duke theksuar se skuadra duhet të ruajë fokusin dhe të mos mendojë shumë për të ardhmen, por për ndeshjen e radhës.
“Liverpool ka fituar Premier League vetëm një herë që nga viti 1990, në vitin 2020, dhe unë dua të jem aty në fund të sezonit, ky është qëllimi. Për të arritur këtë, duhet të fokusohemi te ajo që kemi përpara dhe të mos mendojmë për atë që do të ndodhë në janar apo shkurt”, ka theksur ai.
Liverpool, që aktualisht kryeson tabelën e Premier League me tridhjetë e katër pikë, nëntë më shumë se Arsenal i vendit të dytë, përgatitet për përballjen e radhës ndaj Newcastle të mërkurën. Van Dijk e konsideroi këtë ndeshje si një test të rëndësishëm dhe kërkoi përkushtim maksimal nga skuadra.
“Është e rëndësishme të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të qenë gati për një ndeshje të madhe atje”, ka thënë ai.