Vila e ish-diktatorit, Enver Hoxha, kthehet në rezidencë artistike

Vila e ish-diktatorit, Enver Hoxha, kthehet në rezidencë artistike

Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha (Vila 31) është hapur si një rezidencë artistike, ku pritet të mbledhë artistë nga e gjithë bota.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj rezidence, kryeministri Rama u pyet nga gazetarët se a mos do të duhej që kjo rezidencë të ruhej si shtëpi e ‘ish-diktatorit, e krimeve, dhe si një muze i përgjegjësisë”,  dhe jo duke ia deleguar artit.

Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se ai nuk beson që kjo rezidencë të ishte një muze i përgjegjësisë, por për të bërë të kundërtën e asaj që do të dëshironte vetë diktatori.

“Ky është një opinion që unë nuk e ndaj pasi unë besoj se gjëja më e duhur që duhej bërë në këtë hapësirë ishte kjo që u bë; që kjo hapësirë të përdorej për të bërë gjëra që Enver Hoxha do t’i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër. Kjo ka qenë në fakt motoja shtytëse në mendjen tonë; do të bëjmë një gjë që Enver Hoxha të rrotullohej në varr nga sikleti deri në një pendesë ekstreme që pse jetova dhe e ndërtova aty që e morën dhe po bëjnë këtë gjë. Nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën ishte çdo shprehje të asaj që ata e quanin ‘degjenerimi modernist’. Kjo do të jetë një shtëpi e ‘degjenerimit modernist’, dhe nuk ka më bukur që këtë hapësirë ta përdorin artistët e rinj nga e gjithë bota dhe të jetë një vend dialogu dhe ndërveprimi”, u shpreh Rama. /rtsh/

Share This