
Vieri për problemet e Italisë: Çfarë u ndodhi sulmuesve?
Ish-sulmuesi i Interit, Juventusit dhe Milanit, Christian Vieri, dha një intervistë për ‘The Italian Football Podcast’, gjatë së cilës foli për problemet si të ekipit kombëtar italian ashtu edhe të zikaltërve.
E nis nga mungesa e sulmuesve të një niveli të caktuar te të kaltërit: “Nuk e di çfarë ndodhi, mbaj mend që kur luaja ishte Inzaghi, Del Piero, Baggio, Montella, Totti, Casiraghi, Zola, Vialli, Ravanelli, Mancini. Shumë numra 9 dhe 10. Pippo Inzaghi më tha javën e kaluar: ‘Bobo, për 35 vjet, ne kishim sulmuesit më të mirë në botë dhe tani po kalojmë një periudhë mungese të madhe’”.
Megjithatë, ai është optimist për Kean dhe Retegui: “Të dy janë shumë të mirë dhe duke luajtur së bashku mund të jenë shumë të rrezikshëm. Kean është fenomenal, Retegui është shumë i mirë në zonë, një vrasës. Me të dy nuk do të kemi më problemet që kemi pasur në 15 vitet e fundit”.
Për Interin: “Simone Inzaghi? Mendoj se ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme në këto katër vite, dy finale të Ligës së Kampionëve, me një buxhet më të vogël se ekipe si Real Madridi, PSG-ja, Barcelona, Manchester City apo Bayern.
Mendoj se në fund Simone tha thjesht: ‘Po largohem, nuk kam energji për ta filluar sezonin përsëri’. Dhe më vjen keq që e bëri këtë”.
Pastaj për Chivu-n: “Një trajner shumë, shumë i ri. Ai nuk kishte trajnuar kurrë më parë në Serie A, vetëm këtë vit në Parma për disa muaj. Mendoj se ekipi është ende shumë i fortë. Le të shohim se çfarë mund të bëjë. Ai është i ri, do të ketë idetë e tij. Le të shohim se çfarë ndodh”.