Vetëvendosje akuzon PZAP-në për shmangie nga përgjegjësia

Vetëvendosje akuzon PZAP-në për shmangie nga përgjegjësia

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar kërkesën e saj për anulimin e votave të dërguara me postë dhe rivotim, me arsyetimin se ankesa është dorëzuar jashtë afatit ligjor.

Në një komunikatë për media, Vetëvendosje e ka cilësuar këtë vendim si arbitrar dhe të pashpjegueshëm, duke akuzuar PZAP-në për shmangie nga përgjegjësia për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

LVV thekson se ankesën e ka dorëzuar brenda afatit ligjor, duke u bazuar në njoftimin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se numërimi përfundoi më 5 mars në ora 21:00. Sipas tyre, afati i ankesave 48-orëshe skadonte më 7 mars në të njëjtën orë, ndërsa ankesa është dorëzuar më 7 mars në ora 20:20. Për këtë arsye, LVV e sheh refuzimin e PZAP-së si një vendim të padrejtë dhe në kundërshtim me rregullat e KQZ-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP. Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR  dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Duke e cilësuar manipulimin e votave me postë si një shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, Vetëvendosje kërkon që të gjithë ata që kanë ideuar dhe zbatuar këtë veprim të përballen me drejtësinë, teksa ka paralajmëruar se do të vazhdojë betejën ligjore dhe do të ushtrojë ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve.

“Justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet. Vota dhe vullneti i lirë i votuesve duhet dhe do të mbrohet. Integriteti i procesit zgjedhor duhet të garantohet përmes anulimit të fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe organizimit të procesit të rivotimit. Ndërsa, të gjithë ata që kanë ideuar, organizuar e zbatuar këtë krim zgjedhor duhet të nxirren para drejtësisë. Lëvizja Vetëvendosje do të ushtrojë ankesë në afatin e paracaktuar pas shpalljes së rezultateve”, thuhet tutje në reagim, raporton rtk.

Share This