Vendimi i BE-së për heqjen e vizave për serbët me pasaporta ilegale, Haziri kritikon ashpër qeverinë Kurti
Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Për këtë vendim, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, po e fajëson qeverinë e Kosovës, pasi, sipas tij, ky vendim erdhi pasi qeveria kosovare ka vepruar njëanshëm në tetë raste.
“Lidhur me heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale, kështu është kur vepron njëanshem në tetë raste kinse për qëllime sovraniste dhe dërgon ‘kërcënime’ për pakicat se edhe pensionet u kanë rrezikuar e ndihmat sociale, ja si të kthehet tash”, tha Haziri për Mediafokus.info.
“Në emer të mbrojtes së tyre dhe barazisë. Kjo nuk është aspak në rregull, por dështimi i politikës që çdo ditë po e barazon Kosovën dhe Serbinë në të keqen e saj. Marrëdhenie të kushtëzuara, masa ndëshkuese, sekuencim dhe dy aplikacione të Kosovës ende jane të mbyllara”, ka shtuar nënkryetari i LDK-së.