Veliaj: Berisha është fundërrina e fundërrinave të kombit shqiptar
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka reaguar ashpër kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili e ka kritikuar të parin e Tiranës.
Ai ka drejtuar akuza të ashpra ndaj liderit opozitar.
Në profilin e tij në “Facebook”, Veliaj ka shkruar se Sali Berisha është fundërrina e fundërrinave të kombit shqiptar.
“Që kjo hienë, e cila nginjet çdo ditë me pisllëqet më të ndyra që nxjerr nga goja, është fundërrina e fundërrinave të këtij kombi, tanimë këtë e di i madh e i vogël. Ai e ka nxirosur vetë portretin e tij para shqiptarëve, si varrmihës i zgjedhjeve të lira, si gardian burgu për liderin e opozitës në vitet ‘90, si zhytës i Shqipërisë në kaos dhe gjakderdhje për pushtetin e tij në ‘97, si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë, kur varrosi 26 shqiptarë të gjallë në biznesin e tij familjar në Gërdec, si shantazhues i shtetit shqiptar, kur u kap live duke vrarë në 21 janar, dhe sot si një pengmarrës i opozitës shqiptare, të cilën ka vendosur ta marrë me vete në varr”, ka shkruar Veliaj.
Ai ka mohuat kritikat e të parit të PD-së.
“Megjithatë, jargët e ligësisë së tij ka kohë që s’më bëjnë asnjë përshtypje. Por, duke qenë se hetimi pasuror, që po kryen SPAK-u për mua, është kthyer në një çorbë të prishur për të gjithë të uriturit për hakmarrje dhe të humburit që duan të ndjehen fitimtarë, po i them edhe unë dy fjalë. Unë as jam marrë, as do të merrem me familjen e tij, por me krimet që ai ka bërë, të cilat shpresoj dhe uroj që drejtësia t’i zbardhë sa më shpejt, deri në fund, që hiena e fundit komuniste e Europës të marrë atë që meriton edhe nga drejtësia, pasi populli shqiptar e ka ndëshkuar me kohë, duke e flakur një herë e përgjithmonë në koshin e historisë”, ka shkruar Veliaj.