Vdes një i burgosur në QKUK
Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka njoftuar se të hënën rreth orës 21:50, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri A.M.
Sipas ShKK-së, i njëjti ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 14 nëntor të vitit të kaluar.
“Në momentin e pranimit, gjendja e tij ka qenë stabile, por me të dhëna për sëmundje paraprake të mushkërive. Ai ishte duke u trajtuar për një gjendje gripale, e cila ka progreduar në mushkëri. Për këtë arsye, është dërguar për kontroll specialistike pulmologjike. Në Klinikën e Emergjencës në SHSKUK, janë konsultuar radiologu, pulmologu dhe kirurgu torakal, dhe pacienti është transferuar në Klinikën Infektive”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.
Sipas njoftimit, gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe përkundër angazhimit të stafit të kësaj klinike, nuk është arritur që pacienti të mbahet në jetë.
Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes, raporton rtk.