
Vdes futbollisti 22-vjeçar i FC Vushtrria, Erjon Morina
Futbollisti i Vushtrrisë, Erjon Morina, ka ndërruar jetë të enjten, pasi për më shumë se një muaj ka qëndruar në gjendje të rëndë shëndetësore në Klinikën Intensive në QKUK.
Lajmin për vdekjen e futbollistit 22-vjeçar e ka bërë të ditur babai i tij përmes një postimi në Facebook. “Ylli babit ike ne qiell. Na thave zemrat Erjon! Do jetojme te ngrysur me kujtimet me te bukura per ty! Do jesh ylli qe do na ndriçon gjithmonë”, ka shkruar Ilir Morina.
Erjon Morina pësoi sulm gjatë stërvitjeve me skuadrën në fund të muajit tetor dhe që nga atëherë ishte i shtrirë në spital.
Familjen Morina për humbjen e më të dashurit të tyre e ka ngushëlluar edhe Federata e Futbollit e Kosovës.
“Me dhembje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të birit tuaj të dashur, futbollistit të talentuar të FC Vushtrria, Erjon Morina. Humbja e Erjonit na ka prekur thellë, jo vetëm si komunitet futbolli, por edhe si shoqëri. Ikja e parakohshme nga kjo botë ka ndalur ëndrrat e tij rinore dhe karrierën e tij premtuese, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e të gjithë neve”, thuhet mes tjerash në telegramin e ngushëllimit të kreut të FFK-së, Agim Ademi.