Vdes Anton Berisha, ish-ambasador i Kosovës në Slloveni
Ka vdekur sot Anton Berisha, i cili gjatë jetës së tij ishte angazhuar dhe në politikë, ishte zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe kishte shërbyer si ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët, duke treguar se Berisha ka vdekur pas një sëmundje të shkurtër.
Bëhet e ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, më datë 3 janar, në orën 13:00, në varrezat katolike në Pejë.
“Të dashur familjarë dhe miq, … Me pikëllim të thellë dhe zemër të rënduar ju njoftojmë se babai ynë i shtrenjtë, Anton Berisha, sot, më datë 2 janar, pas një sëmundjeje të shkurtër, u nda nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të paimagjinueshëm në zemrat tona. Homazhet do të mbahen nesër (3 Janar) nga ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë”, thuhet pos tjerash në këtë njoftim të familjarëve.