
Vdes 85-vjeçarja në Rahovec, dyshohet se iu dogj shtëpia aksidentalisht
Një 85-vjeçare ka humbur jetën pasi shtëpia e saj u përfshi nga zjarri në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
“Me datën 29.03.2025 rreth orës 14:55 policia është se në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec, një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri. Njësitet e nevojshme policore, zjarrfikësit dhe emergjenca, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pas lokalizimit të zjarrit, brenda shtëpisë është gjetur pa shenja jete një grua e moshës rreth 85 vjeçe, shtetase e Kosovës, pjesë e komunitetit serb”, deklaroi Elezaj.
Vdekja e saj u konstatua në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
Sipas policisë, zjarri dyshohet se u shkaktua në mënyrë aksidentale nga stufa me të cilën ajo ngrohej.
“Nga hetimet e para të zhvilluara, ekzaminimet e kryera në vendin e ngjarjes si dhe dëshmive tjera të siguruara, dyshohet se deri tek vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e zjarrit të shkaktuar në mënyrë aksidentale nga stufa me të cilën ajo ngrohej. Mirëpo, shkaktari zyrtar i vdekjes do të vërtetohet vetëm pas ekzaminimit mjeko ligjor, gjë e cila është urdhëruar nga prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar edhe rast ‘incident zjarri’ dhe ‘hetim i vdekjes’”.