Vatikani: Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe në zemër

Vatikani: Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe në zemër

Vatikani ka bërë të ditur shkaqet nga të cilat ndërroi jetë Papa Françesku në moshën 88-vjeçare.

Shkaqet i ka rrëfyer doktori i Vatikanit, Andrea Arcangeli sipas të cilit Françesku ndërroi jetë nga një goditje në tru dhe në zemër.

Certifikata e vdekjes e lëshuar ditën e sotme nga doktori Andrea Arcangeli u botua edhe nga Vatikani, në të cilën theksohet se Papa kishte rënë në koma para vdekjes së tij ditën e sotme.

Papa Françesku, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.

Vitet e fundit, papati i tij ishte shënuar nga disa vizita në spital dhe shqetësime për shëndetin e tij. Më 14 shkurt, Papa u shtrua në spital për trajtimin e bronkitit.

Në ditët që pasuan, Vatikani tha se ai ishte diagnostikuar me pneumoni dypalëshe dhe se kishte kryer transfuzione gjaku pasi testet zbuluan se kishte nivele të ulëta të trombociteve në gjak, e cila shoqërohet me anemi.

Më 22 shkurt, Vatikani tha se Papa ishte në një gjendje kritike pas një “krize të zgjatur të frymëmarrjes” që kërkonte një rrjedhë të lartë oksigjeni, dhe të nesërmen Vatikani tha se Françesku po tregonte një dështim të veshkave.

Në ditët në vijim, mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për t’u lutur për shërimin e tij, ndërsa të tjerët shkuan në spitalin e Romës ku ai po qëndronte.

Qëndrimi i tij 38-ditor në spital përfundoi më 23 mars kur ai bëri paraqitjen e tij të parë publike pas pesë javësh në një ballkon në Gemelli ku u buzëqeshi dhe përshëndeti turmat e mbledhura jashtë.

Share This